Pastori Paulin Vilajeti e quajti organizatën në një emision televiziv një «sekt të rrezikshëm Satanik» «mbjellës të urrejtjes» dhe «nxitës të vetëvrasjes».
Nga Massimo Introvigne
Read the original article in English.
![Pastor Paulin Vilajeti at Euronews Albania. From Facebook.](https://bitterwinter.org/wp-content/uploads/2024/05/BITTER-WINTER-22.jpg)
![Pastor Paulin Vilajeti at Euronews Albania. From Facebook.](https://bitterwinter.org/wp-content/uploads/2024/05/BITTER-WINTER-22.jpg)
Vetëm së fundmi, Euronews Albania, degë e Euronews Francë, hoqi nga kanali në YouTube shprehje diskriminuese kundër Dëshmitarëve të Jehovait, të përdorura nga një i ftuar në emisionin e mëngjesit «Good Morning Albanians», pas urdhrit të Komisionerit për Mbrojtjen Nga Diskriminimi (KMD) më 25 janar 2024 («Bitter Winter» ka parë një kopje të vendimit).
Më 18 maj 2023, një nga temat e diskutuara në emisionin «Good Morning Albanians» ishte raporti vjetor mbi lirinë fetare që sapo ishte publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Një nga të ftuarit për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, ishte pastori Paulin Vilajeti i Vëllazërisë Ungjillore në Shqipëri. Siç vuri në dukje KMD, pastori Vilajeti është një «person publik» pasi ai «ftohet rregullisht në televizion dhe media të tjera, për të analizuar dhe shprehur opinionin e tij mbi ngjarje të ndryshme sociale, fetare, etj.,» dhe ka rreth 50,000 ndjekës në rrjete sociale.
Ndonëse nuk ishte tema kryesore e diskutimit, pastor Vilajeti u përball me një screenshot që tregonte një deklaratë të shkruar nga ai në vitin 2020, ku shprehej se Dëshmitarët e Jehovait janë një «sekt satanik, anti-Krisht». Fjala shqipe e përdorur ishte «sekt», e cila si fjalë në gjuhë të tjera rrjedh nga latinishtja «secta», duhet të përkthehet në anglisht si «kult», jo si «sekt». Në fakt, në gjuhën angleze «sekti» ka një kuptim të ndryshëm dhe më pak nënçmues, ndërsa fjala e përdorur për të stigmatizuar lëvizjet fetare të perceptuara si të rrezikshme është «kult».
Vilajeti konfirmoi se ajo që tha në vitin 2020 «ishte e vërtetë» dhe përsëriti se «Dëshmitarët e Jehovait janë një sekt që për shkak të predikimeve të tyre, e vërtetuar tashmë me fakte, njerëzit kanë shkuar deri në vetëvrasje. Dhe unë personalisht mendoj se ky është Satanizëm.» Në vazhdim të diskutimit, ai i quajti Dëshmitarët e Jehovait një «sekt i rrezikshëm», «që mbjellin urrejtje» dhe tha se «këto janë sekte të cilat shteti duhet t’i trajtojë me seriozitet».
Më 29 maj 2023, televizionit Euronews Albania iu dërgua një kërkesë bazuar në të drejtën e përgjigjes, që të korrigjonte këto deklarata, por kërkesa nuk u plotësua. Më 19 qershor 2023, Dëshmitarët e Jehovait paraqitën një ankesë pranë KMD kundër pastor Vilajetit dhe Euronews, dhe gjithashtu informuan Komitetin Shtetëror për Kultet (KSHK). Më 27 qershor 2023, KSHK u shkroi Dëshmitarëve të Jehovait se kishte ndarë shqetësimet e tyre me Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë, duke i komunikuar organizatës protestante se deklarata si ato të pastorit Vilajeti, nuk kontribuojnë në harmoninë dhe marrëdhëniet e mira midis feve të ndryshme në vend.
Më 19 tetor 2023, u mbajt një seancë dëgjimore pranë KMD-së. Pastor Vilajetit iu kërkua të bënte një falje publike për shprehjet që kishte përdorur, por ai nuk pranoi. Më 25 janar 2024, KMD dha vendimin kundër Euronews dhe Vilajetit.
Vendimi shpreh se mbrojtja kryesore e televizionit Euronews qëndronte në faktin se nuk kishte pasur diskriminim, pasi Dëshmitarët e Jehovait ishin ftuar për të marrë pjesë në emision, por nuk e kishin pranuar ftesën. Mbrojtja e pastor Vilajetit u përqendrua kryesisht në refuzimin e transfuzionit të gjakut nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilën ai e barazoi me «vetëvrasjen» dhe e quajti «një praktikë satanike».
Këto argumente nuk u pranuan nga KMD, i cili vuri në dukje se pavarësisht nga kundërshtimet e ndryshme që pastori Vilajeti mund të ngrinte kundër doktrinave dhe praktikave të Dëshmitarëve të Jehovait, arsyeja e ankesës ishte përdorimi i gjuhës nxitëse për urrejtje dhe diskriminim («gjuhë urrejtjeje.») KMD arriti në përfundimin se në deklaratat e pastor Vilajetit «besimtarët e Dëshmitarëve të Jehovait në Shqipëri paraqiten dhe etiketohen si modele negative vetëm për shkak të bindjeve të tyre fetare. Edhe pse deklaratat e bëra nga z. Vilajeti, nuk drejtohen kundër individëve të caktuar, besimtarët e Dëshmitarëve të Jehovait në Shqipëri, portretizohen dhe etiketohen si modele negative vetëm për shkak të besimit apo bindjeve të tyre fetare. Këto deklarata edhe pse nuk janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj një personi të caktuar, mund të kuptohen si deklarata që nxisin urrejtje… Komisioneri thekson se Shoqata «Dëshmitarët e Jehovait» dhe komuniteti fetar që ata përfaqësojnë janë portretizuar dhe etiketuar si modele negative në të shkuarën [në Shqipëri]… Për shkak të dezinformimit mediatik dhe informacioneve të pavërteta, kjo shoqatë dhe besimtarët e saj u etiketuan në mënyrë negative duke u stereotipizuar dhe stigmatizuar në opinionin publik.»
![Jehovah’s Witnesses in Tirana, Albania. Photo by Massimo Introvigne.](https://bitterwinter.org/wp-content/uploads/2024/05/BITTER-WINTER-1-15.jpg)
![Jehovah’s Witnesses in Tirana, Albania. Photo by Massimo Introvigne.](https://bitterwinter.org/wp-content/uploads/2024/05/BITTER-WINTER-1-15.jpg)
KMD arriti në përfundimin se «gjuha e përdorur nga Z. Paulin Vilajeti përbën gjuhë urrejtjeje ndaj Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait dhe komunitetit fetar që ata përfaqësojnë, për shkak të bindjeve fetare. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura prej tij, janë në tejkalim të lirisë së shprehjes dhe si të tilla ato nuk mund të gëzojnë mbrojtje nga nenet 22 dhe 24 të Kushtetutës, nenet 9 dhe 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe neneve 18 dhe 19 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Për të gjitha arsyet e mësipërme, Komisioneri vlerëson se kufizimi i gjuhës së urrejtjes është i domosdoshëm dhe proporcional.» Vendimi i KMND-së citoi legjislacionin përkatës të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) dhe në fakt vendimi i Komisionierit duket se është në harmoni me precedentët e GjEDNj-së.
Televizionit Euronews Albania iu kërkua «të merrte masa të menjëhershme për të eliminimin/mbulimin e shprehjeve diskriminuese të përdorura nga z. Paulin Vilajeti në emisionin «Good morning Albanians» në YouTube. Pastor Vilajetit iu kërkua të «bëjë një deklaratë publike (verbale ose të shkruar) me anë të të cilës të distancohet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes kundër Shoqatës «Dëshmitarët e Jehovait» dhe komunitetit fetar që përfaqësojnë — si dhe të evitojë përdorimin e saj ».
Siç u përmend më lart, vetëm së fundmi televizioni Euronews Albania fshiu nga YouTube shprehjet shpifëse. Pastor Vilajeti postoi një ndjesë mjaft të lehtë në llogarinë e tij në Facebook.
Vendimi i KMD është një tjetër precedent i rëndësishëm që konfirmon se liria e të shprehurit dhe e drejta legjitime për të kritikuar një organizatë fetare kanë kufij. Shpifja dhe fyerja janë forma të «gjuhës së urrejtjes» dhe nuk mbrohen nga liria e shprehjes.